14 December 2017

A mund ti jepet zeqati prindit?

Pyetje:
Përderisa jam vajzë e martuar dhe posedoj pasuri personale, a ka mundësi që vlerën e zeqatit t'ia jepja prindit tim, duke e pasur parasyshë që ka nevoj për një gjë të tillë?
Duke e pasur parasyshë që vëllezërit kujdesen për to dhe gjithashtu edhe vetë punojnë, kështuqë nuk jam unë ajo që kujdesem financiarisht për ta. Pra a është e pëlqyer në këtë rast t'ua jap zeqatin?


Përgjigje:

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!

 Për pyetjen tuaj kontaktuam me zyrën përfaqësuese të Sejjid Ali Sistaniut në Londër. Pasi ua shpjeguam situatën që keni shprehur, përgjigja e tyre është negative, pra një grua NUK mund ta ndihmojë prindin e saj nëpërmjet parave të zeqatit.

  Kuptohet, kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund ta ndihmojë prindin e saj assesi. Përkundrazi, ajo ka një përgjegjësi morale për ta ndihmuar atë dhe këtë mund ta bëjë në shumë mënyra. Pra nuk ka nevojë që për këtë gjë të kërkohet një arsyetim tek zeqati. Njeriu mund ta ndihmojë prindin dhe çdo familjar tjetër të afërt duke i dhuruar diçka nga pasuria e vete. Edhe në aspektin moral, ky veprim do të ishte më i denjë dhe më me respekt ndaj prindit.

  Duhet të keni parasysh se në lidhje me shpenzimin e parave të zeqatit ka rregulla të përcaktuara qartë. Zeqati u jepet të varfërve dhe nevojtarëve në shoqërinë muslimane, pra njerëzve ndaj të cilëve njeriu nuk ka ndonjë përgjegjësi direkte. Në rastin e prindit, edhe sikur një vëlla ose motër ta ketë marrë përsipër kujdesin për të, përsëri njeriu, nëse jo tjetër, ka një përgjegjësi morale ndaj prindit. Andaj edhe nuk është shumë e saktë dhe e sjellshme që kjo përgjegjësi të përballohet nëpërmjet zeqatit, duke e vendosur prindin në kategori të njejtë me të varfërit e shoqërisë muslimane.
__________________
Përgjigja e marur nga stafi i nderuar: Libraria Dielli (dielli.net)

No comments:

Post a Comment

Të pëlqyerat