24 March 2013

Modele njerëzish me qetësi shpirtërore


Një nga brezi i tabi’inëve, tregon: “Në fillimet e mia, jetoja një jetë larg ligjeve dhe dispozitave të Zotit, i humbur mes udhëve të lakuara. Një vit, në vend kishte pllakosur zia e bukës dhe njerëzit nuk kishin me ç’të ushqeheshin. Ndodhesha në Pazar bashkë me shumë njerëz të vuajtur dhe të uritur. Në një çast, vjen një skllav, i cili dukej i lumtur dhe i gëzuar.

Kjo më revoltoi dhe menjëherë i thashë: “Si qeshke ti ndërkohë që të gjithë vuajmë nga uria?! Si guxon e qesh, kurse ne të gjithë po vdesim për të ngrënë?!” Skllavi më pa në sy dhe më tha: “E përse u dashka të shqetësohem?!

Unë jam skllav i një padroni që ka magazina me ushqime, burime uji etj... Përse duhet të hidhërohem?!” Në atë çast, mua me erdhi një ide në kokë dhe me vete thashë: “Nëse ky skllav nuk shqetësohet për urinë, sepse ka një padron që zotëroka magazina me ushqime, po unë përse të shqetësohem, ndërkohë që kam një Zot që posedon gjithçka në qiej dhe në tokë?! Përse të mos ndihem i qetë?!” Që atë ditë u pendova dhe ndoqa udhën e Zotit të lartësuar.
Zoti thotë në Kuran: “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (Al Imran, 26)
Përse duhet të stresohesh o vëlla dhe oj motër, ndërkohë që jeni robër të Allahut fuqiplotë, në dorën e të Cilit gjendet gjithçka në qiej dhe në tokë? Ibrahimi (a.s.) kur e përshkruante Zotin të cilit i besonte, thoshte: “i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë); i Cili më ushqen dhe më jep të pi; i Cili, kur sëmurem, më shëron; i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë; dhe i Cili, shpresoj se do të m’i falë gabimet e mia në Ditën e Gjykimit!” (Shuara, 79-82)
Nëse e gjithë dynjaja përmbyset dhe çrregullohet, një shpirt i qetë as që e humbet qetësinë që e karakterizon.
 Ndërkohë që e gjithë bota po komplotonte kundër Profetit (a.s.), kurejshët nuk linin gur pa lëvizur për ta eliminuar dhe xhaxhai i tij Ebu Talibi i pohonte se nuk mund ta mbronte më, Profeti (a.s.) pohonte me vendosmëri: “Për Zotin o xhaxhai im! Nëse do më vinin diellin në të djathtën time dhe hënën në të majtën, nuk do të heq dorë, derisa të triumfoj ose të vdes në krye të kësaj çështjeje.” A mund të kesh dhe ti një vendosmëri dhe qetësi shpirtërore të tillë në çështjen të cilës i beson? Shembulli i radhës është i një të riu tetëmbëdhjetë vjeçar, që quhej Harithe. Atë e pyet një ditë Profeti (a.s.): “Si u gdhive o Harithe?” “Jam gdhirë besimtar i vërtetë, o i dërguar i Allahut”- ia kthen. Profeti (a.s.) e pyet përsëri: “O Harithe, mendoje atë që thua, pasi çdo fjalë e ka një të vërtetë, po besimin tënd me çfarë e vërteton?”
“O i dërguari i Allahut – i përgjigjet - më duket sikur e shoh Arshin e Allahut me sy dhe sikur shoh banorët e xhenetit, duke u kënaqur në xhenet dhe banorët e zjarrit duke vuajtur brenda tij. Prej kësaj hoqa dorë nga të mirat e kësaj bote, duke e kaluar natën me namaz dhe ditën me agjërim. “Meqë e ditke, atëherë mos iu ndaj o Harithe”- ia ktheu Profeti (a.s.).
Ai ishte një i ri, të cilit Zoti ia kishte ndriçuar zemrën me dritën e besimit.
Abdullah ibnu Hudhafe, një nga shokët e profetit Muhamed (a.s.), ishte rritur dhe edukuar me qetësi shpirtërore. Ai u kap rob nga bizantinët, bashkë me disa shokë të tjerë. Komandanti bizantin, bëri disa tentativa që ta thyejë dhe të nxjerrë në pah tranzicionin e tij shpirtëror, por dështoi.
Fillimisht, ai e lidhi në një pemë dhe i urdhëroi ushtarët të hidhnin shigjeta drejt tij, por pa e goditur. Abdullahu nuk lëvizte fare dhe nuk tregonte shenja frike dhe dëshpërimi.
Komandanti mori dy nga shokët e Abdullahut dhe i hodhi të gjallë në një kazan me vaj të nxehtë.
Ai i kërkoi të braktiste fenë Islame, në këmbim të faljes së jetës, por Abdullahu sërish refuzoi. Kur e afruan pranë kazanit me vaj të nxehtë, Abdullahut i rrodhën disa pika lot. Kjo e gëzoi komandantin bizantin, pasi mendoi se e kishte rrënuar qetësinë shpirtërore, e cila e kishte karakterizuar gjer atëherë.
Duke qeshur me ironi, ai i tha: “Përse qan? Apo je gati që tani ta braktisësh fenë tënde, në këmbim të jetës?”
 Abdullahu iu përgjigj: “Jo, unë qava pasi kam vetëm një shpirt të vetëm, të cilin do ta jap për hatër të Zotit. Do të doja që të kisha shpirtra aq sa kam qime në trup dhe të gjithë t’i jepja për hatër të Zotit.”
 A ke një shpirt kaq të qetë edhe ti o vëlla dhe oj motër? A keni shpirt të qetë siç kishte Ibnu Tejmije kur thoshte kur e burgosën: “E çfarë do të më bëjnë mua armiqtë? Nëse më vrasin, vdes si shehid. Nëse më burgosin, më japin mundësinë të jem vetëm me Zotin. Nëse më dëbojnë nga vendlindja, më shërben si shëtitje. Xheneti im i vërtetë është në zemrën time, kudo që shkoj e kam me vete.”
 Një i ditur thotë: “Në dynja ekziston një xhenet, kush nuk e shijon atë, nuk e shijon xhenetin e ahiretit. Ai xhenet është njohja e Zotit, dashuria për Të dhe qetësia shpirtërore.”
 Padyshim që ka njerëz që duan të përjetojnë çaste gjatë të cilave ndihesh sikur ndodhesh në xhenet dhe të thonë: “Për Zotin, nëse banorët e xhenetit ndihen siç ndihem unë tani, do t’u mjaftonte.”
 Ka njerëz, të cilëve jeta u ngjan me një luginë të thellë dhe plot rreziqe, nga e cila nuk dinë si të dalin. Ndërkohë ka të tjerë që u duket sikur janë në një fushë dhe e kanë të qartë destinacionin.

     Një ditë, dy të rinj bënë aksident me makinë dhe të dy ndërruan jetë. Të dy u përkisnin familjeve të ndryshme. Nëna e njërit qante, vajtonte, çirrej dhe ankohej përse i kishte ndodhur kjo gjëmë dhe ky kob i zi. Kurse nëna e tjetrit lotonte dhe e buzëqeshur thoshte:

“Elhamdulilah, një pjesë e imja më parapriu në xhenet.”
Kur mori vesh një miku im se pas analizave të shumta e shoqja ishte e sëmurë me kancer dhe se kishte vetëm gjashtë muaj jetë, më kërkoi që t’i flas dhe t’i jap zemër. Unë fillova t’i jap zemër dhe ta inkurajoj, por ajo ma ktheu me qetësinë më të madhe:
“Elhamdulilah. Unë jam më mirë se shumë njerëz të tjerë të lodhur e të munduar. Kjo nuk është veçse diçka e vogël në krahasim me të mirat e Zotit.” Në fakt, ishte ajo që më dha zemër mua.”
Profeti (a.s.) thotë: “Ata njerëz që mblidhen në një nga shtëpitë e Zotit (xhamitë), lexojnë Kur’an dhe e mësojnë me njëri – tjetrin, do t’u jepet qetësia shpirtërore, do t’i rrethojnë melekët, do t’i përfshijë mëshira e Zotit dhe do t’i përmendë Zoti tek banorët e qiellit.”
Nëse kërkon të jetosh i lumtur në këtë botë, fillimisht duhet ta njohësh mirë veten tënde, pastaj të bësh çmos që të kesh qetësi shpirtërore. Ti duhet ta fusësh veten tek një nga kategoritë që kemi përmendur më lart. Për këtë, të ndihmon shumë qëndrimi vetëm, ecja vetëm në një vend të qetë dhe pyetja: Cilës kategorie i përkas unë?
Qëndro vetëm qoftë dhe një orë në javë. Mos u mashtro nga idetë se ritmi i jetës është i shpejtë dhe nuk ke kohë të qëndrosh vetëm. Mos u bëj si dikush që ishte nisur me makinë drejt një qyteti të largët dhe kur i thanë mbushe makinën me karburant, u tha: “Jo se nxitoj.” Dhe në mes të rrugës makina u ndal, pasi iu sos karburanti. Për shkak se nxitojnë dhe nuk mbushen me energji, shumë njerëz kanë humbur rrugën në luginat e kësaj bote.
Pasi të përfundosh së lexuari këtë temë, gjej një vend të paqtë dhe ulu me veten që të zbulosh se cilës prej tre kategorive i përket. Por mos u mashtro dhe të besosh se gëzon qetësi shpirtërore, ndërkohë që ndodh e kundërta. Një nga shokët e Profetit (a.s.), Vasibe, tregon: “Një ditë ndodhesha në xhami dhe u nisa drejt të dërguarit të Zotit (a.s.) që ta pyes mbi të mirën dhe të ligën. Unë fillova të kapërcej rreshtat e njerëzve drejt Profetit (a.s.) dhe disa më thoshin: “Largohu nga i dërguari i Zotit, o Vasibe!” Unë ua ktheja: “Më lini rehat! Nuk ka njeri që zemra ime ta dojë më fort se atë.” Kur më pa Profeti (a.s.), ma bëri me shenjë dhe më tha: “Afrohu o Vasibe!” Unë u ula dhe gjunjët e mi prekën gjunjët e Profetit (a.s.). I dërguari i Allahut më tha: “O Vasibe! A të të tregoj se përse ke ardhur?” Unë iu përgjigja: “Po, o i dërguari i Allahut!” Ai tha: “Ke ardhur të pyesësh mbi të mirën dhe të ligën.” Unë i thashë: “Ashtu është, o i dërguari i Allahut.” Mandej, Profeti (a.s.) i bashkoi tre gishtat dhe duke më cytur në kraharor drejt zemrës, më tha:
 “O Vasibe! E mira është ajo me të cilën ndihet e paqtë vetja dhe qetësohet zemra. Kurse e liga është gjithçka që të ngushton kraharorin dhe nuk e lë ndërgjegjen të qetë. O Vasibe! E mira gjendet këtu – në kraharor - sado mendime të ndryshme të japin njerëzit.”

Marur nga: ardhmeriaonline

No comments:

Post a Comment

Të pëlqyerat